Home

Vijojnë netët e leximit të dramës shqipe/ Dramat e lexuara nga emra të njohur të teatrit dhe para viteve ’90, të cilët kanë fituar në përballje me të rinjtë

Gazmend Krasniqi: Sërish emrat e realizmit socialist

“E keqja e teatrit është te juria e ngritur prej tij. Kjo përzgjedhje m’u duk si një hakmarrje idiote ndaj emrave më të rinj. Emrat që kanë fituar janë një mbetje e realizmit socialist, dhe nuk besoja se do ricikloheshin më. Më duket sikur në teatër ka një ndarje, ne dhe ata”, thotë Krasniqi, duke nënkuptuar me “ne” të rinjtë.

Ka dramaturgji të mirë shqipe, apo dramat shqipe nuk vlerësohen ashtu siç duhet? Kjo ishte pyetja që u ngrit nga dramaturgë dhe regjisorë që u bënë pjesë e një diskutimi të hapur për herë të parë në prill të një viti më parë në skenën e Teatrit Kombëtar, në takimin mbarëkombëtar të dramaturgjisë. Ky takim që zgjati dy ditë, nxori në pah gjithë problematikën e dramës shqipe, konceptet e regjisorëve ndaj prurjeve të reja shqipe, dhe çfarë nuk shkonte te to në raport me veprat e huaja. A mos vallë ishte paragjykuar drama shqipe? Pse mungonte ajo aq shumë në repertorin e këtyre viteve të fundit në skenën e Teatrit Kombëtar. Nga ky takim u dol dhe me konkluzionin për të krijuar netët e leximit të dramave shqipe, net të cilat përmes interpretimit do të mund t’i kuptonin më mirë dramat e shkruara. Prej më shumë se një viti netët e leximit të dramës shqipe janë kthyer në një ritual pasditeve në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas fazës së parë të leximit, tashmë ka nisur faza e dytë pas një seleksionimi që bordi i dramaturgjisë u bëri veprave të dorëzuara për lexim. Qëllimi është që veprat më të mira nga këto lexime të mund të ngjiten në skenë. Por ajo çfarë bie në sy, përtej subjekteve që këto drama trajtojnë është se në pjesët e përzgjedhura për lexim, mungojnë emrat e dramaturgëve të rinj. Veprat që kanë nisur të lexojnë u përkasin emrave të njohur në teatër si: Bashkim Hoxha, Bashkim Kozeli, Ferdinant Hysi, Jani Duro, Kiço Blushi, Josif Papagjoni, Rafet Abazi, Ruzhdi Pulaha, Stefan Çapaliku, Ylldije Sulke. Dhe pse ka pasur në veprat e dorëzuar dhe emra dramaturgësh të rinj, ata janë skualifikuar nga leximi, dhe pse do ishte interesante të shihnin prirjet e të rinjve në teatër, qoftë duke i dëgjuar. “Nekrologjia”, një dramë e Gazmend Krasniqit, dramaturg i ri fitues dhe i një konkursi për dramaturgjinë e re shqipe, nuk ka mundur të kalojë për lexim, ashtu si një dramë e Erion Kames. “E keqja e teatrit është te  juria e ngritur prej tij. Kjo përzgjedhje m’u duk si një hakmarrje idiote ndaj emrave më të rinj. Emrat që kanë fituar janë një mbetje e realizmit socialist dhe nuk besoja se do ricikloheshin më. Më duket sikur në teatër ka një ndarje, ne dhe ata”, thotë Krasniqi, duke nënkuptuar me “ne” të rinjtë. Vetë subjekti i dramës së tij, duket sikur i ngjason situatës me të cilën ndodh në teatër. “Ishte një dramë e njeriut të drejtë dhe të ndershëm, në një shoqëri të egër dhe të padrejtë”, thotë Krasniqi. Mungesa e emrave të rinj, ka bërë që lista e veprave që do të lexohen të mos quhen surprizë nga njerëzit e teatrit. Ndërsa nuk mund të paragjykojmë veprat e emrave të përzgjedhur, përderisa nuk ka përfunduar leximi i tyre, por përzgjedhja e dramaturgëve të rinj mund të ishte dhe një shtysë për ta për të vijuar të shkruajnë. Mungesa e dramaturgëve të rinj ka qenë një kritikë që i është bërë gjithnjë teatrit shqip. Kjo ka bërë që të ngrihej më parë dhe konkursi i dramës shqipe, që u jepte mundësi veprave fituese të ngjiteshin në skenë. Gjatë gjithë këtyre viteve është thënë se është shkruar dramaturgji shqipe dhe për fatin e saj të keq ajo ka mbetur sirtarëve. Duke gjykuar faktin që ishin shqipe, një pjesë e mirë e regjisorëve as që i janë afruar për t’i parë si potenciale që mund t’i ngjisnin në skenë.  Netët e leximit lindi si një nevojë për ta njohur këtë dramaturgji, përmes interpretimit. Regjisori Mihal Luharasi, kërkon ta shohë ndryshe këtë situatë, duke thënë se leximi i veprave është një ritual që duhet të vazhdojë si në çdo teatër në botë. E vetmja gjë e trishtë sipas tij, është fakti që duhet të ketë më shumë të pranishëm për t’i dëgjuar këto vepra. Leximi i veprave ka përfshirë aktorë të rinj të teatrit, që nuk i fshehin rezervat për nivelin e pjesëve të lexuara. Edicioni i dytë i netëve të leximit nisi me leximin e veprës “Kompleksi i Edipit’ nga dramaturgu Ferdinand Hysi me kuratore regjisoren Elma Doresi. Drama u lexua nga aktorët: Anila Bisha, Genti Deçka, Gerti  Ferraj, Lulzim  Zeqja, Erjona Kakeli, Indrit Çobani, Niada  Saliasi dhe Sokol Angjeli. Më pas ka vijuar me leximin e dramës “Zonë e kamufluar” me dramaturg Jani Duri kuruar sërish nga Elma Dorezi. Leximi është bërë nga aktorët Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Vangjel Toçe, Mehdi Malkaj, Eva Alikaj, Genti Deçka. Vepra “Askushi” e Bashkim Hoxhës nën kurimin e Elma Dorezit është lexuar nga Helidon Fino, Neritan Liçaj, Erjona Kakeli, Gladiola Harizaj, Flaura Kureta dhe Gerti Ferra. Tri ditë më parë u lexua vepra e dramaturgut Bashkim Kozeli, “Vajza e gjeneralit” nën kurimin e Mihal Luharasit. Sipas tij, në qendër të veprës është nacionalizmi grek, duke e goditur atë. Sot pritet të lexohet vepra “Made in Albania” e dramaturgut Stefan Çapaliku.

Ndër kritikat që i janë bërë teatrit këto vite apo dhe dramave të shkruara shqip ka qenë fakti që në to ka munguar jeta e vërtetë. Ngjarje të vërteta historike të ndodhura vitet e fundit në historinë tonë, apo drama për personazhe të historisë sonë kanë munguar, ashtu siç janë dhe dramat provokuese.

Gjatë takimit të dramaturgjisë kombëtare u hodh ideja dhe e rikthimit të një tradite të hershme siç ishte ajo e krijimit të “një laboratori të dramës shqipe”. Në historinë e teatrit janë të njohura rastet kur dramaturgët i kanë shkruar veprat pranë teatrit, në një studio të ngritur për ta. Ndërsa pritet që veprat e përzgjedhura për lexim të lexohen të gjitha për të folur mbi nivelin e tyre, kjo orë leximi të dramës shqipe, po sjellin dhe një vështrim mbi atë çfarë dramaturgjia jonë ofron.

27 Qershor 2015
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/06/27/mungojne-dramaturget-e-rinj/

Leave a comment