Home

Sot në takimet e përmuajshme “Creative Mornings”, piktori dhe dizajneri grafik, Endri Dani do të flasë rreth bojës si element i rëndësishëm i artit pamor dhe gjurmët që lë ajo në jetët tona.

Në 106 qytete rreth botës, marsi është muaji ku bisedat e mëngjeseve krijuese do të sillen rreth bojës. Piktorë, dizajner grafikë, ilustrues, artistë e tatuazhesh, kaligrafistë, printues…një larmi shenjash gishtërinjsh që mbeten në punë dhe gjurmët zgjatuese që boja lë në jetët tona…

endri-dani-210x300Boja, në takimin e tretë të “Creative Morning Tirana” organizuar nga Agron Domi, vjen e trajtuar nëpërmjet një kërkimi artistik, të titulluar “Palimpsest”, nga piktori dhe dizajneri grafik Endri Dani, i cili paraqet katër punime artistike që, në mënyrë jo qendrore kanë për element bojën. Punimet, më shumë se në trajtim estetik, bojën e kanë protagoniste në trajtën e saj fizike dhe kimike. Seritë e Palimpsestit vijnë të shprehura nga Dani si një koleksion shumështresor i gjurmëve –një palimpsest më shumë sesa një subjekt linear i vazhdueshëm. Eksperiencat tona, historitë tona, kujtimet… Identitetet janë narrativa që nuk mbeten statike, por ndryshohen ose mbulohen nga narrativa të tjera. Duke ekspozuar shtresat e gjurmëve, që është, të mendosh dhe të shohësh botën si një palimpsest, është një reagim i nevojshëm i atyre që vënë në pyetje shtresëzimin e së tashmes, të revoltuar sa mund të jenë nga pashija, të lodhur duke ëndërruar ëndrra të parealizueshme, ndërkohë që globalja ndal të gjitha pëshpërimat e shprehjes lokale.

Një event tipik i ngjizur në Nju Jork, “Creative Mornings” është një seri leksionesh që bashkon çdo muaj komunitetin krijues të qytetit, për të dëgjuar një prezantim të posaçëm nga një folës/lektor i përzgjedhur, si dhe për të zhvilluar pyetje dhe biseda brenda tematikës së muajit.

“Creative Mornings” zhvillohet çdo muaj kudo nëpër botë, përkatësisht në 106 qytete, ashtu sikundër edhe online, ku bisedat dhe eventet projektohen nëpërmjet videove, fotografive dhe medias sociale. Këto evente rrokin live rreth 100 audienca të ndryshme, nga dizajnerë në interpretues arti deri te pronarët e bizneseve apo inovatorët socialë. Përsa i përket Ballkanit, Tirana është qyteti i dytë pas Beogradit që i është bashkuar komunitetit krijues.

Si vjen e trajtuar tema “Boja” në Creative Mornings Tirana?

Boja në këtë takim vjen e trajtuar nëpërmjet një kërkimi artistik, të titulluar “Palimpsest”, më konkretisht nëpërmjet katër punimeve artistike që, në mënyrë joqendrore kanë për element bojën. Punimet, më shumë se në trajtim estetik, bojën e kanë protagoniste në trajtën e saj fizike dhe kimike.

Në këtë rast, boja është gjuha me të cilën shprehet një artist i arteve pamore?

Jo domosdoshmërisht boja është gjuha e shprehjes së një artisti pamor, por ngjyra dhe raportet e saj janë të paevitueshme në veprat e artit, të cilitdo zhanri artistik.

Në jetëshkrimin tënd thuhet se jeton dhe punon si artist në fushën e dizajnit grafik. A është e mundur të jetohet në Shqipëri si artist, pa pasur vështirësi, të paktën të llojit financiar?

Mendoj se përgjigjet e kësaj pyetjeje e kanë rrumbullakosur të njëjtin argument. Do të ishte e pasinqertë që në jetëshkrimin tim të mos rrëfej profilet me të cilat ndahet investimi im. Dizajni grafik është një nga rrugëdaljet për një artist të ri në shoqërinë tonë. Eksperiencat në këtë fushë kanë qenë të shumëllojshme, duke nisur si nëpunës, me të gjithë abuzimet dhe keqtrajtimet që në Shqipëri ka sistemi i lirë i punës dhe tanimë e ushtroj këtë aktivitet në ambient privat pune, ku përsëri është shumë e vështirë të ndash investimin tënd jetësor në dy fusha që cilat i bashkon estetika dhe idetë në një realitet që dëshmon ngurtësisht vështirësi.

Je një artist që ke ekspozuar në hapësira të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, aktualisht cilat janë projektet e tua? A ke në plan një ekspozitë të afërt?

Të jem i sinqertë, investimi dhe sakrifica kohët e fundit më kanë dhënë sadisfaksione dhe motivim. Duke jetuar në një vend ku kultura, në nivel institucional dhe të pavarur, është e papërgatitur të të afrojë rrjedhë normale zhvillimi dhe maturimi artistik, puna ime ka arritur nga një ekspozitë në tjetrën të gjejë rrugën e saj pa forca shtytëse. Më vjen mirë që më së shumti është prezantuar në vende jo shumë të zhvilluara në nivel politik, ekonomik dhe social, sepse marrëdhënia me territorin, me kulturën popullore, me filtrat e globalizimit është më organike përtej ambicieve që artistët kanë të jenë prezentë në vende të oksidentalizuara. Mbas udhëtimit tim në çdo qytet të Shqipërisë dhe mbarimit të procesit kërkimor, këtë verë do të realizoj të plotë projektin “182 cm”, edhe pse në proces të tij është prezantuar në dy konkurse të artit pamor në Tiranë. Projekti do të finalizohet me një ekspozitë.

Me profesion artist

Endri Dani ka lindur në Shkodër. Ai jeton dhe punon si artist dhe grafik/dizajner në Tiranë. Sfondi i tij arsimor si piktor depërton teknikat e pakalueshme të fotografive dhe instilacioneve në një sërë mediumesh (objekte të gjetura, artefakte të jetës së zakonshme, histori kulturore, suvenire etj). Pa asnjëlloj ankese, kërkimi i tij kryesisht merret me kushtet e të qenit një artist shqiptar në vendin e vet, një çështje që shqetëson thuajse këdo që jeton në Shqipëri. Punimet e tij janë shfaqur në disa hapësira institucionale të pavarura ekspozimi, si Galeria Kombëtare e Arteve, Bienalja Yang në Izrael, Panairi i Pavarur i Arteve në Stokholm, në Suedi, ‘Bienale 5’ në Marakesh, Fondacioni “Pino Pascali” në Itali, Galeria Zeta në Tiranë, Galeria Miza, Nurtur Eart, Mixed Greens, Unuion Docs dhe Invisible Exports në Nju Jork, ShBA, Muzeu Kombëtar i Malit të Zi, Muzeu i Artit Modern në Cetinje, Kroaci, Magazzino del Sale, Itali, Bienalet Fin De Mundo, Argjentinë, Kili e Uruguai.

MAPO

20 Mars 2015

http://www.mapo.al/2015/03/endri-dani-ngjyrat-si-shprehje-e-artit

Leave a comment