Home

Helidon Haliti: Institucioni i artit pikturik është sot ku thërret qameti, ja problemet që nuk po gjejnë zgjidhje

Artisti i njohur Helidon Haliti me lëvrimin e teknikës së akuarelit, veç aktivitetit që po zhvillon në Shqipëri, do të marrë pjesë dhe në Bienalet më të rëndësishme në botë krahas emrave të shquar të akuarelit. Në intervistën dhënë për gazetën, piktori Haliti flet për detajet e këtyre eventeve dhe emocionet që merr nga të pikturuarit live. Për gazetën piktori zbulon dhe zhvillimin e Festivalit të Akuarelit, që për herë të parë pritet të zhvillohet në Shqipëri. I njohur në krijimtarinë e tij në pikturë, Helidon Haliti është një nga artistët që ka njohur një vlerësim brenda dhe jashtë vendit, por kur flet për kushtet në të cilat ushtrojnë aktivitetin artistët në Shqipëri, piktori pohon se duhet të ketë më shumë vëmendje nga institucionet. Ndërsa flet për institucionet, Ministrinë e Kulturës, përballë problemeve që kanë sot artistët, piktori Haliti shprehet se fajtorë për këtë situatë janë edhe vetë artistët, të cilët sipas tij nuk kanë ditur që të menaxhojnë punët e tyre.
Jeni një artist aktiv në krijimtarinë e pikturës. Si po vijon këto kohë aktiviteti juaj?
Jam prezantuar këto kohë në aktivitetin Bienalja ndërkombëtare e veprave të artit në letër “Stemperando” në Tiranë në edicionin e gjashtë, që fillon nga Torino. Me një pavijon tashmë që flet gjuhën e artit shqiptar ku janë 18 artistë shqiptarë. Krahas kuratorit italian është dhe një mbështetës i tij, kuratori shqiptar Alfred Mirashi, i cili kishte energji pozitive. Ekspozita është ende hapur dhe asnjëri nga ne nuk e ka ulur temporitmin e projekteve të tij, dhe unë duke pasur parasysh që jam lindur si profesionist në sistemin kapitalist aplikoj çdo javë në ekspozita, galeri të ndryshme të botës apo bienale. Së fundmi kam zbuluar që teknika e akuarelit ka një zhvillim interesant në botë, dhe për fatin tim të mirë unë e njoh mirë këtë teknikë. Fillimisht aplikova në gusht në Bienalen në Bruide të Francës dhe më pranuan. Do të qëndroj atje dy javë, por atje bienalet organizohen në formën e një ëorkshopi ku publiku vjen dhe ndjek artistin të pikturojë live. Veç kësaj në dy javë rresht unë do kem një sallë më vete ku do të ekspozoj pamje nga Shqipëria nga punët që do bëj live atje. Ndërkaq që kam një ftesë nga Bienalja e Izmirit, që bëhet në datë 16 maj. Them ftesë për vetë faktin se duke parë zhvillimin e madh të akuarelit, dhe unë kam një shoqatë ku do të organizoj një festival në të ardhmen, më duhej të futesha në një kontakt më të hollësishëm me kolegët në botë. Pas kërkesës sonë ne u pranuam si shoqatë ndërkombëtare, pra tashmë Shqipëria për herë të parë përfaqësohet në Shoqatën e Akuarelistëve Botërorë, ku e përfaqësoj unë me të gjithë akuarelistët shqiptarë. Në Turqi do të jetë Bienalja e Akuarelit me 3 mënyra, ku ti vetë ke bërë një pikturë në akuarel në studion tënde, e dyta ëorshope ku artisti performon live, dhe e treta do të jetë ekspozimi dhe ndarja e 3 çmimeve. Presidenti i gjithë akuarelistëve botërorë është nga Turqia dhe jeton në Kanada, është ai që e organizon dhe na ka premtuar suport nëpërmjet kolegëve, dhe besoj do ti hapë dyert Shqipërisë për tu paraqitur. Unë mendoj, që nëse përveç Ministrisë së Kulturës mund të arrij të marr dhe ndonjë suport privat, mundoj ti ftoj në festivalin e akuarelit që mendoj të bëj në Tiranë. Problemi është që ne të bëjmë nj festival të mirëfilltë, që të bëhet live dhe të vijnë shkollat e artit ti shikojnë, sepse është harruar teknika e akuarelit, por dhe në Akademinë e Arteve të ringjallet.
Për herë të parë pritet të zhvillohet në Shqipëri Festivali i Akuarelit nën drejtimin tuaj. Si e keni menduar ta zhvilloni këtë projekt dhe sa është mbështetja financiare nga shteti?
Festivali Kombëtar i Akuarelit e kishte emrin Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit, dhe kam aplikuar në disa institucione, së fundmi kam aplikuar dhe në Ministrinë e Kulturës, e cila më mbështeti. Padyshim që projekti im është më i madh se sa mbështetja e dhënë, por duke pasur parasysh që bëhet për herë të parë, skepticizmi është llogjik. Por unë besoj se do t’ia dal mbanë, sepse kam dhe mbështetjen e një enti privat. Nëse unë do të gjej mbështetje më të madhe do ta rimemërtoj Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit. Ky festival është menduar të zhvillohet në nëntor. Nëse do jetë ndërkombëtar do të vijnë fizikisht artistë të huaj dhe të perfomojnë live. Në festival mund të jenë veprat dhe jo artistët, të njihet publiku me veprën e artistit, por për mua do të ishte më mirë të ishin vetë artistët dhe të perfomonin live, siç shikojmë festivalet më të njohura të akuarelit në botë. Përmend këtu Festivalin e Akuarelit në San Peterburg, më i madhi në botë, ku me sa kuptova Ministria e Kulturës kishte dhënë një suport të jashtëzakonshëm.
Në këtë bisedë u shprehët se duhet të ringjallet teknika e akuarelit, që është harruar edhe në Akademinë e Arteve?
Me sa kam dëgjuar Akademia e Arteve investimin e saj e ka në një zhanër tjetër se sa tek piktura e kavaletit. Unë jam njohës i pikturës së kavaletit. Unë po jap shpirtin mbi këtë pikturë, sepse ka rezistuar më shumë në kohë dhe personalisht mendoj që është e pavdekshme. Unë mendoj që nga institucionet duhet një sport më i madh ndaj pikturës së kavaletit, ku brenda pikturës kavaletit fillojmë zanafillën e teknikës së akuarelit. Artet aplikative apo artet alternative ose ato eksperimentale, sot për hir të së vërtetës në gjithë Akademitë e botës investohen më shumë. Unë mendoj që duhet një përqindje më e barabartë, pra 50 përqind të investohet në artet e kavaletit dhe pastaj tek eksperimentet, ku këtu duhet të jetë një përqindje më e vogël në investim.
U bënë disa vite që ju nuk keni ekspozuar në GKA. Pse?
Ju e keni parë që unë të gjitha aktivitetet i kam bërë në MHK për shumë arsye. E para që GKA nuk është galeri është muze, është pinotekë. Pra statusi i saj, është i tillë që bën ekspozita siç dhe unë kam bërë, por i ka tejet të kufizuara. Në momentin që artisti ka nevojë të shprehet, të shkojë diku, e di shumë mirë ai artist institucional siç jam unë që në GKA duhet të zësh radhën para se të shkosh. Kjo për faktin e kërkesave dhe se si menaxhohet. Tani Muzeu Kombëtar ka një sallë të shkëlqyer, që është bërë si alternativë. Unë GKA e mendoja që të kishte një menaxhim pak a shumë si ajo e MHK, që të kishte një sallë më vete siç kanë gjithë muzetë e botës. Unë se kam ndjekur shumë GKA dhe aktivitetet e mia i kam parë të udhës ti bëj në MHK që po shkon mirë.
Ju, keni vepra në fondin e GKA?
Jo, nuk kam asnjë vepër atje.
Artistë të ndryshëm janë shprehur se duhet që për GKA të ketë një buxhet të veçantë që të shkojë për blerjen e veprave. Mendimi juaj?
Secili jep mendimin e tij. Është ëndrra e çdo artisti, që pasi ka kontribuar në artet pamore vepra e tij të flejë dhe në GKA. Unë se kam pasur këtë fat. Nuk më është afruar. Edhe në ekspozitën e fundit në GKA nuk mu afrua të më blinin një vepër. Por është normale që GKA duhet të ketë fond që të blejë vepra. Nëse unë më lart shpjegova që investimet më të mëdha jepen për artet eksperimentale, do të thotë që e kam dhënë përgjigjen, që ka 24 vjet që nuk ka investim mbi artin e kavaletit. Dhe një profesionist e kupton çfarë do të them unë. Kur unë hapa ekspozitë në GKA edhe paratë e dritave, bojën, i pagova vetë, dhe sigurisht nuk bëhej fjalë të më afroheshin të më blinin një vepër.
Infrastruktura e GKA është me jo pak probleme. Për ju si artist, ku duhet të synojë Ministria e Kulturës për t’i ardhur në ndihmë GKA?
Është një institucion që duke pasur parasysh që kam parë 1 mijë të tjera, ajo është një nga këto 1 mijë dhe padyshim që nuk zë vend optimal. Është një sallë e lezetshme që mirë do ishte që Shqipëria të kishte disa të tilla, por sot për sot GKA mbetet më e mira. A duhet GKA të marrë më shumë fonde nga ministria? Patjetër. A duhet GKA të bëhet muze? Patjetër. A duhet të bëhet një galeri e dytë? Patjetër. A duhet piktorët të kenë subvencionim nga shteti nëse kanë dëshirë të rrinë piktorë të lirë? Po duhet të marrin subvencionim, siç i marrin piktorët në vendet fqinje.
Artistët pohojnë se bëhet pak në ndihmë të tyre?
Fajin e kanë edhe artistët për këtë situatë.
Pse mendoni se është edhe faji i artistëve?
Sepse nuk dinë të kërkojnë buxhete te ministria për projektet. Nuk dinë të sjellin projekte origjinale, nuk dinë të sjellin projekte që i bëjnë Shqipërisë. Fakti është se ka 24 vjet që të gjithë e kanë mendjen, që para se të bëjnë projektet të marrin lekët se çfarë do ti bëjnë ato lekë. Ndaj këtu nuk ka faj ministria. E kanë bërë rrumpallë. Kur iu la artistëve GKA, ia ndanin çmimet njeri-tjetrit. Sot që ka një institucion, sërish janë të pakënaqur. Unë i kam provuar, kolegët tanë janë të mrekullueshëm për të pikturuar, por nuk dinë të menaxhojnë në mënyrën më absolute punën e tyre. Dinë të menaxhojnë në mënyrën më perfekte nihilizmin ndaj kolegëve. Duhet të kuptojmë, që është një produkt që del në treg dhe nëse artistët janë kompakt me njëri-tjetrin, produktit i rritet çmimi. Atëherë është fare llogjike, që këtij produkti i hedhim farën përça e sundo, por esencialisht piktorët janë kapitalistë të lindur dhe respektojnë institucionin e jashtëligjshëm që quhet oligopoli. Janë dy sisteme, është monopolia dhe oligopolia, ku kjo e fundit do të thotë që rrinë pesë artistë me njëri-tjetrin dhe vendosin një çmim, dhe thonë ne nuk do të shesim më pak se kaq, nuk e bëjnë artistët këtë, pra janë njerëz të ligjshëm. Nga ana tjetër, e bëjnë institucionet e tjera, për këtë duhet të merren ligjet. Pra ne jemi të ligjshëm brenda vetes. Ne nuk jemi ulur kurrë me njëri-tjetrin të themi: ne do shesim kaq. Ndërkohë që dikur e ka bërë shteti, ku p.sh thoshte pisazhi shitet x lekë, kompozimi x lekë, etj. Institucioni i artit pikturik është sot ku thërret qameti. Nuk funksionon fare. Institucion i artit pikturik do të thotë që ka institucione që kuotojnë artistët, që janë galeritë private, filtrimet nga galeritë private hidhen në Muzeun Kombëtar, nga Muzeu hidhen në GKA, GKA ka një komision i cili i blen vepër artistit pasi ka parë dhe studiuar se sa shet artisti. Dhe nga momentin që GKA i blen përshembull një vepër x artistit me 40. 000 mijë lekë të reja, ai artist nuk shet dot më pak se kaq, por do shesë vetëm më shumë. Pra në Shqipëri nuk ka kuotim artistësh, ndaj nuk funksionon ligji i blerjes së veprave për GKA. Janë intriga më të hershme se kaq. Pra është një produkt, i cili është sheshit, nuk ka stiva, sepse unë mendoj që nuk ka kërkesë. Nga momenti që do të kishte një kërkesë, nëse do të vinin të huajt përshembull dhe ti ndanin artistët, që do të thotë këta artistë janë aplikativë, i fus unë në një sallë të madhe dhe pikturojë vazo, këta më bëjnë shporta, këta janë artistë galerie, këta janë koleksionesh, pra çdo njeri fillonte kuotimin, por këto institucione nuk funksionojnë në Shqipëri. Nuk është vetëm faji i politikave, por padyshim që është faji i tregut, i cili ka interes që të rrijë lëmsh. Koleksionistët kanë shoqata shumë të organizuara, ndërsa artistët nuk kanë shoqata të tilla.
Në vitin 2012 ju keni hapur ekspozitën e fundit personale në GKA. Është në planet tuaja një tjetër ekspozitë personale?
Mendoj që më 2016 nëse do më aprovojnë komisionet, që unë jam i denjë për të ekspozuar në GKA.
Intervistoi: Julia Vrapi
21 Prill 2015
Gazeta Sot 

Leave a comment