Home

Është e disata herë që Teatri Eksperimental nën drejtimin e Kiço Londos, me një bërthamë aktorësh shumë të rinj në moshë, po përballet apo më mirë po “përplas kokën”, me disa nga kryeveprat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fondin e artë të teatrit botëror. Duke filluar që nga “Arturo Ui”, “Hamleti”, deri tek “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” të Pirandelos, premiera e të cilës u dha këtë të shtunë në sallën e këtij teatri. Vepra e Pirandelos që mund të quhet dhe kryevepra e tij, paraqet vështirësi nga më komplekset për çdo regjisor dhe sidomos për një kastë aktorësh, mosha mesatare e të cilëve nuk i kalon të 25 vitet. Megjithatë, mund të themi se regjisori Londo përmes dramës “Pirandeliane” kishte mundur të përfytyronte me aq shumë hapësire kalimin e përditshëm nga shpresa tek dëshpërimi dhe nga urtësia e dëshpëruar në verbërinë e vullnetshme, në atë masë që aty ravijëzohet fytyra prekëse e njeriut që mundohet të arratiset nga njerëzimi, që zbulon në kontradiktat e veta arsye për të besuar, arsye për të shpresuar në dëshpërimet e tij pjellore dhe që quan jetë përvojën e tmerrshme të vdekjes, po të kemi parasysh dhe mënyrën me të cilën ishte trajtuar fundi i shfaqjes…

Ndërkaq në përfundim të procesit të rreptë që Pirandelo i bën mbarë shoqërisë dhe normave të saj etike, estetike, filozofike dhe morale përmes një drame konkrete, ne takojmë njeriun. Më në fund, verdikti i tij i pabesueshëm e shfajëson këtë botë të shëmtuar dhe tronditëse, ku dhe mizat e dheut kanë të drejtë të shpresojnë. Në shfaqje, përmes gjashtë personazheve që kërkojnë një autor, ne gjejmë në gjendje të pastër paradoksin e mendimit ekzistencial, ashtu siç e ka shprehur, për shembull, Kierkegardi: “Duhet të godasim për vdekje shpresën tokësore, vetëm atëherë do të mund të shpëtojmë në sajë të shpresës së vërtetë”.

Shpirti Pirandelian i shfaqjes projekton tek konkretja tragjedinë e vet spirituale. Dhe këtë e bën vetëm përmes një paradoksi të përhershëm që u jep zgjidhjeve mizanskenale pushtetin të shprehin zbrazëtinë, ndërsa gjesteve të përditshme u jep forcën të pasqyrojnë ambiciet e përjetshme. Mbi të gjitha mund të quhet e arrirë struktura kompozicionale e shfaqjes dhe tempo-ritmi i saj. Është përvojë bazike e çdo regjizori që gjysmën e suksesit në një veper teatrale ta përcaktojë struktura kompozicionale e shfaqjes, dmth, ndarja e pjesëve kryesore nga ato më pak kryesore në bazë të idesë që vetë regjizori do të përcjellë tek publiku. Duket se regjizori ka çuar shumë mirë ujë në paradoksin e famshëm të Oskar Uajlldit, sipas të cilit “Jeta imiton Artin”.

Në kërkimin e vazhdueshëm dhe kryelartë të gjashtë personazheve që kërkojnë të adoptohen prej një autori, ne lexojmë idenë se në fakt arti nuk e shpëton njeriun vetëm nga të qenët një aksident i universit. Ai përbën dhe shpirtin e së kaluarës mbikohore, ashtu si dhe ç’do fe e vjetër ka qenë një shpirt i botës tokësore. Arti siguron për “priftërinjtë” e tij thirrjen e thellë të mbikoshiencës humane për të braktisur perënditë, që tashmë kanë ikur pa kthim. Njeriu është e vetmja “kafshë” që e di se do të vdesë. Ndërsa arti bëhet e vetmja përgjigje ndaj këtij fakti të pashmangshëm të njeriut. E vërteta më e madhe nuk është se na kanë vërtitur rastësisht mbi tokë, por se nga ky burg ne shkulim nga vetvetja imazhe aq të fuqishme, sa mohojmë hiçin tonë në këtë botë lëvizëse. Arti merr trajta të ndryshme sipas kulturave, por ato i bashkon i njëjti princip sipëror. Ai përbën një mënyrë të tillë për njeriun, për t’u treguar më i madh se ç’do gjë tjetër që e mban të shtypur. Një përgjigje e shkëlqyer e njeriut dhe njerëzimit në tërësi ndaj gëlltitjes së kohërave. Dhe tek kjo ide regjizori kishte goditur fort duke kuruar me kujdes përfshirjen psiko-emocionale të disa aktorëve, si ai i Myzafer Ziflajt në rolin e babait, Adriana Tolkes në rolin e nënës, aktores në rolin e vajzës, Erjon Hinajt në rolin e regjizorit etj. Megjithëse duhet thënë se te roli i babait i interpretuar prej aktorit Myzafer Ziflaj, notat surreale duhet të kishin qenë më të theksuara dhe marrëdhënia e tij me distante dhe më pak e drejtpërdrejtë për ta bërë më të qartë realitetin iluzor në të cilën kjo familje e ardhur rishtaz gjallon.

Por megjithëse i mbështetur prej një kasti aktorësh me përvojë skenike të kufizuar, përmes lojës mizanskenale, muzikës dhe ndriçimit,regjizori Kiço Londo kishte mundur ta kapte të plotë shpirtin e famshëm Pirandelian të veprës. I madh në thjeshtësi, tragjik dhe në ngjarjet më të imta, në pamje të parë të parëndësishme të jetes, i kursyer në fjalë dhe kur trajton temën e konfliktit të përjetshëm midis jetës dhe vdekjes, Pirandelo e vë theksin e vet mbi mospërputhjen midis qenies dhe dukjes, duke na dhënë nëpërmjet “kuptimit të së kundërtës”, siç e pati quajtur vetë, mesazhin qendror të krijimtarisë së tij, një tërësi ku, në mënyrë paradoksale, ç’do gjë është jetë më vete dhe ku të gjitha bashkë përbëjnë jetën në tërësi. Personazhet e tij janë një mori qeniesh që duket sikur venë e vijnë nëpër faqet e dramaturgjisë Pirandeliane duke na treguar thjesht, por thekshëm, për hallet e tyre, aq sa na duket se i njohim këto personazhe, se jetojnë diku pranë nesh, por edhe se dramat e tyre vetjake zhvillohen diku jashtë nesh, në një gjithësi që na përket, por që na është dhe e largët. Ndoshta një ndër meritat më të mëdha të Pirandelos dhe të regjizorit që e ndoqi besnikërisht është që këtë gjithësi, në të cilën ne jetojmë pa u kujtuar për ç’ka po na ndodh, e shpesh duke mos dashur të dimë, ai na e ofron pa pretendime moralizuese. Duke na kujtuar shprehjen madhore të Niçes tek “Përtej së mirës dhe së keqes” se: “Nuk ekzistojnë fenomene morale, ekzistojnë vetëm interpretime morale të fenomeneve”, dhe se, “arti është metafizike, morali jo”.

Që në fillim të shfaqjes, që ajo hapej përmes një tangoje të zvargur që luhej prej violinës së një muzikanteje rruge regjizori ka mundur të sjellë atmosferën e një realiteti irracional dhe iluzor ku fare ose asfare nuk i lihej vend optimizmit të natyrshëm, por shterpë të njeriut. Muzika sugjeronte një realitet që përzihet me fantazinë. Konfuzion dhe kaos dhe më e rëndësishmja frikë, edhe ndaj vetvetes. Paradoksi na merr përdore mespërmes një realiteti të mbushur me grotesk.Pirandelo e prek të mirën dhe të keqen duke na e lënë neve gjykimin. Pak i vështirë ky gjykim, të ngërthyer siç jemi shpesh nga konformizmi, por më të vështirë e pat Pirandelo për të na e treguar së pari. Dhe kjo, ndoshta është dhe madhështia e tij: ne mund të vëmë buzën në gaz kur ndeshemi me padjallëzinë që çon te tragjikja, me mirësinë që kufizon me tuhafllëkun, me meskinitetin që kalon si një pamje krejt e rëndomtë në këtë jete, por nuk besoj se nuk na mbetet një pas hije e hidhur mbasi lexojmë faqet e tij, s’ma do mendja se nuk e ndjejmë edhe ne veten pak me faj për çfarë ndodh me personazhet, dhe se ndihemi më të pasuruar nga fisnikëria e ndonjë gjesti mirësie të përshkruar pa emfazë. Në mos tjetër nuk mund të rrimë indiferentë. Egoizmi i heronjve të tij na fyen, vogëlsia shpirtërore e ndonjërit syresh na prek, fatkeqësitë e tyre na shtyjnë të bëhemi më të mire, sepse, sado të thjeshta qofshin konfliktet e në të cilat kapërthehen, ato konflikte janë gjithsesi drama të thella njerëzore.

Merita e shfaqjes, regjizorit dhe atij kasti të rinj aktorësh është se pikërisht ato çaste të përjetshme të Pirandelos i kanë rrokur dhe na i kanë vënë përpara syve, me gjasë duke menduar se vetmia në të cilën jeton njeriu, në të cilën shpalosen hallet e tij, pikërisht aty ku vija ndarëse midis ironisë dhe tragjedisë është shumë e brishtë, mund të na bëjë edhe të buzëqeshim hera-herës, por në fund të fundit, do të na bëjë të përballemi me një të vërtetë të thjeshtë e të madhe: jeta e tjetrit na përket, ajo është pjesë edhe e jetës sonë, dhe në daçim ta meritojmë cilësimin njeri, duhet të mos i mbyllim sytë përballë dukurive të jetës: përndryshe drama dhe iluzionet e humbura të njeriut Pirandelian do të bëhen shkak varfërimi për të gjithë.

Pirandelon dhe regjizorin gjithashtu tek kjo dramë, duket se i ka shqetësuar thellësisht marrëdhenia e individit me shoqërinë dhe maska që këtij i duhet të mbajë në krijimin e këtyre marrëdhënieve. Roli që ç’do njeriu i bie për pjesë të luajë në shoqëri dhe iluzioni që është i detyruar të krijojë. Gjithashtu dhe të vërtetës individuale që e ka të pamundur të shpërfaqet në realitetin e rremë të shoqërisë. Sipas Pirandelos, të gjithë jemi të detyruar të luajmë një rol. Dhe është marrëdhënia që njeriu ndërton me vetveten dhe me rolin që është i detyruar të luajë në shoqëri ajo që përbën dhe faktin që shqetëson më shumë Pirandelon, dhe që ai merr përsipër ta trajtojë plotësisht në këtë vepër të tij. Dhe shfaqja e ndërtuar prej regjisorit Kiço Londo duket sikur klith aksiomën e Niçes: “Bëhu ai që je”.

Së fundi ç’mund të thuhet tjetër për “Pirandelon” dhe shfaqjen e tij? Për ne shqiptarët ndoshta vetëm pak gjë: se është e domosdoshme ta pasurojmë botën tonë individuale me vlerat universale të Pirandelos së madh. Temat shoqërore të tij edhe pse pa rënë në moralizime shterpë, kanë shume pika kontakti me problemet e shoqërive në zhvillim sikurse kjo e jona dhe, duke vënë gishtin mbi plagë, Pirandelo dhe shfaqja e tij, me ironinë e tij të patëkeq dhe që na bën të vëmë buzën në gaz edhe kur jemi përpara një tablloje të trishtë, sikur na thotë mos u ligështoni, çojeni kokën, mbështetuni tek vetja juaj, tek ata që keni përqark: fatkeqësitë mund të mos i parandalojmë, por i kemi të gjitha mundësitë për të mos na vënë përfund. Njeriu që s’është i zoti të ndryshojë rrjedhën e fatit të tij dhe që Pirandelo e do aq fort, ndonëse nuk na fal krenari, na bën të mendohemi. Dhe ky është fillimi i ndryshimit për më mirë Prandaj shfaqja e Pirandelos duhet parë me vëmendje, dhe mbi të duhet reflektuar seriozisht…

Enton Islami
25 Nentor 2015
http://www.gazetadita.al/eksperimenti-i-gjashte-personazheve-pirandelo-ne-teatrin-e-kico-londos/

Leave a comment